Pri Radio Radio Që Ju Ndjek Pas Kudo
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se “brenda 24 orëve” ai do t’ia paraqesë publikut “provat dhe tregimet e dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes” gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Të premten, Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në dhe përreth Banjskës pas sulmit, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffery Hovenier tha për BBC të shtunën se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura tregojnë se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.
“Kur u vranë tetë policë në Maqedoninë e Veriut, ata nuk ishin terroristë. Por kur u vra një polic shqiptar, i cili nuk duhej të ishte atje, të gjithë serbët deri në moshën katërmbëdhjetë vjeç duhet të hetohen, arrestohen dhe vriten,” tha Vuçiq të dielën.
Të shtunën, Vuçiqi tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000,” tha Vuçiq për Financial Times .
Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
Të shtunën, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.
Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Ajo u sulmua në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Basnjkë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia e Kosovës e mori nën kontroll manastirin më vonë atë ditë.
Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë. / REL
Written by: admin
kfori mitrovica policia e kosoves tensionet ne veri
Sunshine Tommy Blues
Super Natural Jamie Tock
Red Frank Lee