PDK reagon ndaj ambasadorit britanik: Mos e relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. PDK-ja, nëpërmjet një njoftimi, ka kundërshtuar deklaratën e Hargreaves se aktgjykimi ka të bëjë me “krime individuale”, duke e cilësuar këtë si “një reduktim të papranueshëm diplomatik” […]
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
PDK-ja, nëpërmjet një njoftimi, ka kundërshtuar deklaratën e Hargreaves se aktgjykimi ka të bëjë me “krime individuale”, duke e cilësuar këtë si “një reduktim të papranueshëm diplomatik” të një vendimi që, sipas kësaj partie, ka pasoja të gjera për interpretimin e historisë së Kosovës.
“Mos e reduktoni dhe mos e relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK-ja trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në atë që në aktgjykim është cilësuar si qëllim i përbashkët kriminal.
Tutje, PDK-ja ka theksuar gjithashtu rolin që katër ish-krerët e UÇK-së kanë pasur në raport me NATO-n gjatë luftës së vitit 1999.
“Prandaj, të thuash se bëhet fjalë për ‘krime individuale’ nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën”, ka deklaruar PDK-ja.
Në reagim, PDK ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë po perceptohet si instrument politik.
“Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
PDK ka përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që ato të merren parasysh nga shtetet që e mbështesin dhe financojnë këtë institucion, përfshirë Britaninë e Madhe.
Në fund, PDK ka deklaruar se do të vazhdojë ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
“Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik”, thuhet në reagim.
Çfarë është Reagimi Juaj?