Përleshjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdojnë, pasi Trump tha se vendet ranë dakord për armëpushim
Përleshjet mes forcave të Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan herët të shtunën, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të dyja vendet kishin rënë dakord për një armëpushim. Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, tha se i kishte bërë të qartë Trumpit se një armëpushim do të ishte i mundur vetëm pasi Kamboxhia të […]
Përleshjet mes forcave të Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan herët të shtunën, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të dyja vendet kishin rënë dakord për një armëpushim.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, tha se i kishte bërë të qartë Trumpit se një armëpushim do të ishte i mundur vetëm pasi Kamboxhia të tërhiqte të gjitha forcat e saj dhe të hiqte minat tokësore nga zona kufitare, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Tajlanda do të vazhdojë veprimet ushtarake derisa të mos ndiejmë më dëm dhe kërcënime ndaj tokës dhe popullit tonë. Dua të jem i qartë. Veprimet tona këtë mëngjes flasin vetë”, shkruan Anutin.
Të dyja palët raportuan se bombardimet dhe shkëmbimet e artilerisë përtej kufirit vazhduan edhe të shtunën.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias tha se avionë luftarakë tajlandezë bombarduan ndërtesa hotelesh dhe një urë, ndërsa Tajlanda raportoi se disa civilë u plagosën nga një sulm me raketa nga pala kamboxhiane.
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën në përleshjet e rifilluara dhe rreth 700 mijë banorë janë evakuuar në të dy anët e kufirit.
Trump kishte deklaruar më herët gjatë javës se mund ta ndalte konfliktin mes forcave tajlandeze dhe kamboxhiane – që shpërtheu të hënën – thjesht me një telefonatë. Pas bisedimeve me të dy kryeministrat të premten në mbrëmje, ai shkroi në rrjetet sociale se të dyja vendet kishin rënë dakord të “ndalonin të shtënat që nga mbrëmja” dhe t’i riktheheshin marrëveshjes së nënshkruar në prani të tij në tetor.
“Të dyja vendet janë gati për paqe,” shkroi Trump.
Megjithatë, në deklaratat e tyre pas bisedave me presidentin amerikan, asnjëra palë nuk përmendi një armëpushim të menjëhershëm.
Anutin tha se i kishte shpjeguar Trumpit se Tajlanda nuk ishte agresori dhe se Kamboxhia duhej të tregonte fillimisht se kishte tërhequr forcat dhe kishte pastruar minat nga kufiri. “Ata duhet ta tregojnë këtë më parë,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, udhëheqja kamboxhiane deklaroi se duhet të vazhdojë luftimet për të mbrojtur sovranitetin e vendit.
Nuk pati asnjë përmendje të përdorimit të tarifave si mjet presioni për të detyruar palët të tërhiqen, siç kishte ndodhur në korrik. Tajlanda i ka paralajmëruar SHBA-të që të mos e lidhin konfliktin me tregtinë.
Të shtunën, Kamboxhia raportoi se ishte goditur nga sulme të tjera ajrore tajlandeze.
“Më 13 dhjetor 2025, ushtria tajlandeze përdori dy avionë luftarakë F-16 për të hedhur shtatë bomba” mbi disa objektiva, thuhet në një postim të ministrisë së mbrojtjes së Kamboxhias në platformën X.
“Avionët ushtarakë tajlandezë ende nuk kanë ndalur bombardimet,” shtohet më tej.
Edhe ushtria tajlandeze konfirmoi se luftimet po vazhdojnë.
Mosmarrëveshja e vjetër kufitare u përshkallëzua më 24 korrik, kur Kamboxhia lëshoi një breshëri raketash drejt Tajlandës, e cila u përgjigj me sulme ajrore. Të dyja vendet akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve.
Pas disa ditësh luftimesh intensive që lanë dhjetëra të vdekur, dy vendet e Azisë Juglindore ranë dakord për një “armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte”, të ndërmjetësuar nga Trump dhe kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim. Marrëveshja u formalizua në një ceremoni në Malajzi në tetor, nën praninë e presidentit amerikan.
Megjithatë, të dyja palët vazhduan të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit. Tajlanda publikoi prova që sipas saj tregonin se trupat kamboxhiane po vendosnin mina tokësore, të cilat kanë shkaktuar humbjen e gjymtyrëve për shtatë ushtarë tajlandezë. Kamboxhia pretendon se minat janë mbetje nga lufta civile e viteve 1980.
Që atëherë, tensionet janë rritur vazhdimisht. Këtë javë, Tajlanda nisi sulme ajrore brenda territorit të Kamboxhias pasi dy ushtarë të saj u plagosën në një përleshje të dielën e kaluar. Kamboxhia u përgjigj me breshëri raketash.
Luftimet kanë prekur gjashtë provinca në verilindje të Tajlandës dhe gjashtë provinca në veri dhe veriperëndim të Kamboxhias.
Të dyja vendet kanë kontestuar kufirin tokësor prej rreth 800 kilometrash për më shumë se një shekull. Kufiri u përcaktua nga hartografë francezë në vitin 1907, kur Franca ishte fuqia koloniale në Kamboxhia.
Trump thotë se udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias u dakorduan për të ndaluar luftimet