KQZ nuk ia shpalli rezultatin përfundimtar, PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj. Në vendimin e tij, PZAP vlerëson se ankesa e Listës Serbe është e bazuar, duke theksuar se qëndrimi i […]

KQZ nuk ia shpalli rezultatin përfundimtar, PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj.

Në vendimin e tij, PZAP vlerëson se ankesa e Listës Serbe është e bazuar, duke theksuar se qëndrimi i KQZ-së nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas PZAP-së, nuk ka bazë ligjore që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të shpallet pa përfshirë të gjitha subjektet politike. Paneli thekson se, duke pasur parasysh se janë përmbyllur të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet zgjedhore, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha partitë pa përjashtim.

Në vendim theksohet se shpallja e pjesshme e rezultateve bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Po ashtu, PZAP ka vlerësuar se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe standardet e Komisionit të Venecias.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit 48-orësh në Gjykatën Supreme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Megjithatë, gjatë mbledhjes, anëtarët e KQZ-së miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive politike, përveç Listës Serbe, e cila konsiderohet subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në atë mbledhje, tre anëtarë të KQZ-së votuan në favor të miratimit të listave, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan. Vendimi i KQZ-së ishte kritikuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, PZAP ka refuzuar si të pabazuara gjashtë ankesa të tjera, përfshirë dy ankesa të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.